+389 78 385 571 info@lgbtunited.org

Shoqata LGBTI Junajted, Shoqata LEBITRAK dhe Shoqata  DIVERSITET,  dërgojnë apel deri te partitë politike dhe kandidatët/et për kryetarë komunash dhe këshilltarë në zgjedhjet e ardhshme lokale, në fushatën elektorale që të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e intolerancës ndaj komunitetit LGBT + dhe të gjitha komuniteteve të tjera të margjinalizuara në mënyrë që të fitojnë pikë politike.

Ne u kujtojmë atyre se mijëra persona LGBT +, prindërit, miqtë dhe mbështetësit e tyre janë gjithashtu pjesë e elektoratit. Ne presim që të gjithë ata të paraqesin ide përfshirëse, zgjidhje dhe projekte nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët pavarësisht nga karakteristikat e tyre personale, në vend që të përdorin retorikë nacionaliste, raciste, ksenofobike, mizogjinike ose homofobike. Ne gjithashtu presim që ata jo vetëm që të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e zgjedhësve të tyre, por gjatë krijimit të politikave gjithashtu të marrin parasysh problemet dhe sfidat në aksesin ndaj të drejtave të njeriut dhe qasjen në mallra dhe shërbime me të cilat përballen qytetarët, veçanërisht ato që i përkasin kategorive të cenueshme të qytetarëve, si dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe mundësues për diversitetin në të gjitha format e tij.

Së fundi, ne theksojmë nevojën për respektimin dhe zbatimin e vazhdueshëm të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i zbatueshëm për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, dhe shpresojmë që Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, në përputhje me kompetencat e tij ligjore, do të reagojë në kohën e duhur dhe në mënyrë të përshtatshme për çdo diskriminim në diskursin publik, veçanërisht në periudhën parazgjedhore, por edhe në të ardhmen.