Comments are off for this post

KRYETARI I LGBT JUNAJTED TETOVË SHPËRBLEHET ME ÇMIMIN FRANKO-GJERMAN PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Bekim Asani, kryetar i shoqatës “LGBT Junajted Tetovë” është fitues i çmimit franko- gjerman, që u jepet, në nivel ndërkombëtar, personave të përfshirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndarja e këtij çmimi u bë në rezidencën franceze, më datë 13 dhjetor 2017.
Çmimin, Bekim Asanit, në prani të nënës së tij, ia dorëzuan ambasadori i Francës, z. Christian Timonier, ambasadori i Gjermanisë, z. Thomas Gerberih si dhe kryeministri i vendit, z. Zoran Zaev.
Ambasadori francez Timonier tha se, Asani dallohet me veprimtarinë e tij në luftë kundër diskriminimit.
“Ai, që nga viti 2001, punon në mbrojtjen e grupeve më të diskriminuara. Lufton për respektimin e të drejtave të homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transgjinorë në Maqedoni. Si mbështetës dhe bashkues aktiv që është, ai është zëri dhe fytyra e njerëzve të cilët diskriminohen për shkak të diversitetit të tyre”, tha ambasadori francez Timonier, gjatë ndarjes së çmimit.
Z. Timonier, tregoi një respekt të veçantë ndaj nënës së Bekim Asanit, për guximin e përgjithshëm dhe fuqinë që ajo e posedon, duke iu falënderuar, gjithashtu, kryeministrit Zaev si figura e parë politike, e cila tregoi mbështetje për të drejtat themelore, përfshirë të drejtat e komunitetit LGBT.
Kryeministri Zaev, theksoi se orientimet e Qeverisë janë të qëndrojmë prapa çdo qytetari, t’i mbrojmë ata dhe të krijohen kushte për mbrojtjen e parezervë të të drejtave të tyre.
“Sot çmimi shkon te Bekim Asani, nesër do shkojë te një tjetër aktivist, tek një luftues tjetër për të drejtat e njeriut. I rëndësishëm është emri i personit, sepse është shembull që motivon vlera të larta, siç është përcaktimi për respektimin e të drejtave të njeriut, por akoma edhe më e rëndësishme është vetëdija për rëndësinë e kësaj karakteristike njerëzore, të virtytshme, të ndërgjegjshme dhe morale, e cila na thërret të gjithë neve politikanët, bartësit e funksioneve publike, aktivistët civilë, njerëzit që të luftojmë për respektimin e të drejtave njerëzore”, tha Zaev.
Ambasadori gjerman, z. Gerberih theksoi se çmimi për të drejtat e njeriut në vitin 2017, u jepet për të dytën herë luftuesve për të drejtat e njeriut nga e gjithë bota, të cilët në shtetet e veta në mënyrë të veçantë janë angazhuar për të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës. Medalja që iu dhurua Bekim Asanit është e punuar nga artistja Ana Martin Nap dhe paraqet simbolin për angazhimin e fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Nuk është me rëndësi kush jemi dhe si jemi, kë duam dhe kush na do, të gjithë meritojmë të respektohemi, sepse të drejtat e njeriut janë universale”, theksoi Bekim Asani, duke u falënderuar në fjalimin e tij të shkurtër gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit.